Të akuzuarit në rastin Banjska 13.06.2025

Të akuzuarit në rastin Banjska 13.06.2025

Rrëfimi i dy zyrtarëve policor për përballjen me grupin terrorist në Banjskë

Në gjykimin ndaj Dushan Maksimoviqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Vlladimir Toliqit, tre prej 45 personave nga grupi i Millan Radoiçiqit, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, kanë dhënë dëshminë dy zyrtarët policor që ishin në vendin e ngjarjes ku u vra, rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Fahri Shala dhe Sedat Dushi ishin dy policët që i ishin bashkangjitur për ndihmë ekpiës së parë policore që kishin vërejtur dy kamionët të cilët e kishin bllokuar hyrjen për në fshatin Banjskë.

Shala tha se i është dëmtuar dëgjimi gjatë një detonimi të granatës së dorës e cila fatmirësisht nuk kishte arritur të kalonte njërin nga kamionët duke shpërthyer mbi të, që sipas tij caku i granatës ishte të binte te zyrtarët policor.

Shala i cili gjendej në ekipin e rreshterit Afrim Bunjaku tha se me të arritur të vendi i ngjarjes kishin vërejtur që ndriçimi në fshatin Banjskë nuk ishte i zakonshëm. Shumica e shtëpive nuk kishin të ndezura drita, ndërsa vetëm vendi ku ishin duke qëndruar zyrtarë policor kishte ndriçim më shumë se zakonisht.

Sipas dëshmitarit, kur kanë ndarë rolet, janë afruar tek kamionët me kolegët e tjerë, kanë biseduar që të mos prekin kamionët me drojën se mund të ketë diçka shpërthyese.

Pozicioni i tij, siç deklaroi në seancë gjyqësore, ishte para kamionëve, në atë moment sipas Shalës ka ndodhur një shpërthim në pjesën e pasme të kamionëve dhe menjëherë kanë filluar të shtëna armësh nga grupi terrorist në drejtim të zyrtarëve policor.

“Gjatë bisedës me kolegun i kam thanë mos me i prek kamionët se mos po shpërthejnë naj sen, edhe e kemi dëgju mbrapa kamionave një shpërthim shumë të madh, dhe pa u ndërpre zhurma e detonimit kanë filluar të shtëna të ndryshme të na sulmojnë në drejtim tonin dhe nga aty unë kam fillu me ju kundërvë me armën time zyrtare të dal mbrapa kamionave ti përdori si mburoj”- tha dëshmitari në gjykim më 13.06.2025.

Sipas tij, gjuajtja me armë të zjarrit kanë ardhë nga shumë drejtime – njëkohësisht pa ndërpre, madje, sipas dëshmitarit nga përvoja e tij, grupi ka qenë mirë i përgatitur pasi avancimin që e kanë bërë pjesëtarët e terroristëve në drejtim të policëve e kanë bërë duke i mbuluar me zjarr pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist.

Dëshmitari tha se pasi kishte bërë ndërrimin e pozicionit pas shpërthimit dhe gjuajtjeve me armë të zjarrit, kishte parë një kolegë të tij të shtrirë në tokë, që më pas e ka identifikuar si rreshteri Bunjaku.

Shala tutje përmendi edhe një detaj interesant, i cili tha pasi kishte ndodhur shpërthimi kishin parë pjesëtarë të grupit terrorist në afërsi të urës, duke qëndruar në pozicione të caktuara,, por që ishin të maskuar dhe nuk kishin arritur ti identifikonin.

Pas Shalës dëshminë e tij e ka dhënë edhe zyrtari tjetër policor – pjesëtari i ekipës së Afrim Bunjakut, Sead Dushi që deklaroi njësoj që pasi kishin arritur me dy veturat shtesë tek ekipa që kishte vërejtur dy kamionët në rrugën që të shpie të fshati Banjskë, ishin pozicionuar dhe kishin dëgjuar një shpërthim.

Shpërthimi ishte aq i madh, sipas dëshmitarit, i shoqëruar me një mori rrafalle nga grupi terrorist në drejtim të zyrtarëve policor.

I njëjti tha se i ishin përgjigjur me armë zjarri rafalëve të grupit terrorist. Dushi gjykatës i tregoi se kishte arritur të identifikonte edhe një dron i cili mbikëqyrte lëvizjet e tyre, por që nuk kishte arritur që ta godiste me armë zjarri.

Dushi tha se kishte përjetuar rëndë lajmin se kolegu i tij, Afrim Bunjaku kishte ndërruar jetë.

Në fund Dushi, kolegu i cili punonte me rreshterin thuri lavde për të ndjerin Bunjaku duke e konsideruar si hero të Kosovës.

Seancat e radhës për këtë rast janë planifikuar të bahen më 18, 21, 22, 24 korrik 2025.

Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale – terrorizëm, – financim i terrorizmit, dhe – shpëlarje e parasë.

Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.

Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë dosje.

Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.

Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.

Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.

Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.

Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.

“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.

Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.

“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.

Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.