Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Osmani angazhohet për rastin e ish-policit të Kosovës të ndaluar në Serbi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është angazhuar në lidhje me rastin e ish-policit të Kosovës Arbnor Spahiu, i cili është ndaluar në Serbi.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Bekim Kupina, Këshilltar për Media në Zyrën e Presidentes.

“Presidentja Osmani sapo është njoftuar për rastin, ka kontaktuar menjëherë me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi dhe ka qenë po ashtu në kontakt me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e BE-së.” – ka thënë ai.

Sipas Kupinës angazhimi i Presidentes në këtë rast do të vazhdojë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD).

Sipas tyre Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.

“Z. Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij – duke u kthyer nga Austria. Më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para Gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Aktualisht, z. Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.” – thuhet mes të tjerash.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës Arbnor Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” – konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radio Evropa e Lirë.

Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtator 2023 – duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet me armë që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues serbë.