Albin Kurti ka pritur për takim në Qeveri, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Pas Haxhiut, presidenti i Këshillit Evropian pritet në Qeveri nga Kurti
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur për takim në Qeveri, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Së pari, ai u takua me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiun.
Krejt në fund ai do të takohet me kryetarët e partive ish-opozitare.
Vizita në Prishtinë është pjesë e një turneu rajonal që ai ka nisur më 1 qershor në Sarajevë. Pas ndalesave në Tiranë dhe Shkup, ai do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd, ndërsa më 5 qershor do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.
Kjo është hera e dytë që kur u zgjodh President i Këshillit Evropian që António Costa po viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai më parë vizitoi të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor midis 13 dhe 15 majit 2025.
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat, më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcën e marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe do të mirëpritet nga Presidenti i Malit të Zi. BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.
Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.
Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.