Kurti takohet me regjistruesit e popullsisë në Gjilan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme me 13.04.2024, ka zhvilluar një takim me regjistrues dhe mbikëqyrës, të cilët janë në proces të regjistrimit të popullsisë.

Takimi është mbajtur në qytetin e Gjilanit.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se për të ardhmen e shtetit shumë do të varet nga puna e këtyre javëve të mbetura në procesin e regjistrimit, që nisi me 5 prill.

“Do të prodhohen të dhëna të shumta që do t’iu ndihmojnë, jo vetëm vendimmarrësve, por edhe shfrytëzuesve të tjerë sikurse Qeveria e shoqëria civile, pastaj bizneset, donatorët e investitorët, që të hartojnë politika, të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe të ofrojnë shërbime, që t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve e i respektojnë të drejtat e tyre”- citohet të ketë thënë kryeministri Kurti, duke shtuar se ndarjet buxhetore që do të bëhen, do të bazohen gjithashtu në regjistrimin e popullsisë.

Regjistrimi i popullësisë parashihet të bëhet në rreth 650 mijë ndërtesa, përmes 3 mijë e 536 regjistruesve në terren- ku përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe 891 mbikëqyrësve.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.

Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024.