Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krerët e partive opozitare urojnë Fitër Bajramin

Krerët e tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK kanë uruar besimtarët mysliman për festën e Fitër Bajramit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha kjo festë na përkujton rëndësinë e mirësisë, faljes, dhe solidaritetit.

“Na përkujton se sa e rëndësishme është t’i mbajmë zemrat e pastërta dhe t’i hapim krahët atyre që kanë nevojë. Uroj që ky mesazh të përcillet gjeneratë pas gjenerate, duke ndarë të mirën dhe duke dëshmuar humanizmin, si vlerë e jona e patjetërsueshme”- ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar lutje dhe agjërim të pranuar për të gjithë ata që kaluan, sipas tij, një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit.

“Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë”- ka shkruar Abdixhiku.

Në urimin e tij për këtë fesë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar që Bajrami të mbushë zemrat me ngrohtësi dhe të frymëzojë që të përhapet mirësi dhe pozitivitet.

”Sot, le të vlerësojmë bekimet e shumta që na janë dhuruar dhe të reflektojmë mbi thelbin e vërtetë të kësaj dite – rëndësinë e solidaritetit, kujdesit, harmonisë dhe unitetit mes njerëzve”- ka thënë Krasniqi.

Sot dhe në dy ditët pasuese, besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin.