Komisioni Europian - Bruksel

Foto: Denis Sllovinja

Kosova dhe Serbia diskutojnë sot në Bruksel për dinarin

Rregullorja e Banksës Qendrore e cila e përcakton euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, pritet të jetë temë kryesore në kuadër të takimit Kosovë-Serbi që do të mbahet më 27.02.2024 në Bruksel.

Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Nabila Massrali ka thënë se takimi do të nisë në mëngjes dhe se do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja.

“Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe po, nga ajo që di të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Do ju tregojmë për më shumë në një fazë tjetër”- ka deklaruar Massrali.

Nga BQK-ja kanë konfirmuar për KALLXO.com që do të marrin pjesë në takimin që do mbahet sot në Bruksel për çështjen e dinarit.

“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”- ka njoftuar Banka Qendrore.

BQK-ja shtoi se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 1 shkurt.

Kurse në mediat serbe kanë raportuar se Serbia do të përfaqësohet nga kryenegociatori, Petar Petkoviq.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u rrezikuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë është Euro.

Në anën tjetër, Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Çështja e dinarit, Kosova mes interesit dhe pasojave nga (mos)pjesëmarrja në takimin e Brukselit