Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Konfirmohet pjesëmarrja e Kosovës në takimin e thirrur në Bruksel për çështjen e dinarit

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka konfirmuar për KALLXO.com që do të marrin pjesë në takimin që do mbahet më 27.02.2024 në Bruksel për çështjen e dinarit.

“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”- njofton Banka Qendrore.

BQK-ja shtoi se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 1 shkurt.

Kjo rregullore parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme.

Bashkimi Evropian po kërkon që çështja e ndalimit të dinarit serb të zgjidhet përmes dialogut. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara, po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, para mediave është shprehur se ftesa e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak përbën shkelje të parimeve, sepse sipas praktikave të mëhershme, sipas tij, “asnjë temë nuk mund të vendoset në agjendë të një takimi, pa pajtimin paraprak të të dyja palëve”.