Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti pas deklaratës së O’Brien: Nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur poshtë pretendimet se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u rrezikuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë është Euro.

Duke u përgjigjur rreth deklaratës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Kosova e rrezikon partneritetin me SHBA-të pikërishtë për shkak të kësaj rregulloreje, Kurti tha se Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10 pikësh për zbatimin e rregullores së saj”- tha ai, më 14.02.2024.

“Do të japim kohë tranzicioni. BQK udhëheqë me hapat 10 pikësh. Edhe ne do japim kontributin tonë për zbatim sa më të lehtësuar. Si për BQK-në, për shtetndërtimin tonë demokratik, për sistemin tonë financiar, ne jemi gjithashtu falënderues e mirënjohës ShBA-ve që kanë kontribuuar përgjatë këtyre, jo vetëm thjeshtë 16 vjetëve të shtetit të pavarur, por 25 vjetëve të Kosovës së çliruar”- theksoi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se Qeveria nuk i mbivendoset institucioneve të pavarura shtetërore siç është BQK-ja dhe se sipas tij, kjo e fundit nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese.

“Ne jemi republikë demokratike, Qeveria nuk mbivendos në raport me institucionet e pavarura shtetërore siç është BQK. Në mesin e këtyre 10 pikave, si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim, pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i ynë, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe dhe për siguri. Kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”- tha ai.

Më tej, Kurti nënvizoi se është kryeministër i cili nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para, por siç tha ai, të kenë më shumë para teksa ripërsëriti se “nuk është ndaluar dinari në Kosovë”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 13.02.2024, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Me këtë qëndrim, sipas tij, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka deklaruar O’Brien.

Nga 1 shkurti 2024 ka filluar zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke prekur kështu dinarin serb, valutë të cilën e përdorin për pagesa serbët lokalë.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë kjo datë do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Përmes një plani 10 pikësh, BQK-ja ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të Rregullores.

Kundër zbatimit të kësaj Rregulloreje, qytetarë të komunitetit serbë në Kosovë, më 12.02.2024 kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut.

Disa nga parullat e vendosura nëpër pankarta në këtë protestë ishin: “Pensionin tërë jetën e kam bërë, nuk ia jap Kurtit”; “Europë hapi sytë”; “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim”.