Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR: Nuk kemi qenë të përfshirë në vendimin e qeverisë për t’i shpallur terroriste dy organizatat

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i në Kosovë kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të përfshirë në shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“KFOR nuk kanë qenë të përfshirë” – thuhet shkurt në një përgjigje të tyre për KALLXO.com.

Lidhur me këtë hap të qeverisë kanë reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, BE e vende te QUNIT-it me deklarimin se Kosova nuk është koordinuar me aleatët e saj për marrje të këtij vendimi.

SHBA i ka bërë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa po punohet me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, nëse ekziston mundësia që si pasojë e këtyre veprimeve që SHBA i quan të njëanshme, të përjashtohet Kosova prej Koalicionit Global për luftim të ISIS-it.

KALLXO.com mësoi se nga Ambasada e SHBA-së nuk kanë komente tjera për këtë çështje.

Sipas Ambasadës gjermane në Kosovë, as ata nuk ishin të njoftuar paraprakisht nga autoritetet kosovare për këtë veprim.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë thonë se duke pasur parasysh krizën aktuale në komunat veriore, një koordinim i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm.

“Është e rëndësishme të theksohet se çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”- thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane për KALLXO.com

Po ashtu, Ambasadat e dy vendeve të QUINT-it, Francës e Anglisë kanë deklaruar se mes tyre dhe ekzekutivit kosovar nuk ka pasë koordinim për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

E për këtë vendim të enjten Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se janë koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”- tha ai, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjik.

Dy organizatat të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë të premtës së javës kaluar në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

Ambasada e SHBA-së nuk e komenton mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Koalicioni Global kundër terrorizmit