Departamenti Amerikan i Shtetit

DASH: Qeveria e Kosovës është dashur të koordinohet me partnerët për shpalljen e organizatave terroriste

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për KALLXO.com se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt të Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”- thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH për KALLXO.com.

Tutje thuhet se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje përsëri Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Po ashtu, është theksuar se SHBA-të dënojnë dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequra nga NATO.

“Ata që janë përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi, duke ndjekur një proces të rregullt dhe me transparencë të plotë”- theksohet në përgjigjen e dhënë për KALLXO.com.

Për këtë çështje, KALLXO.com u ka dërguar pyetje Bashkimit Evropian, vendeve të QUINT dhe KFOR, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Kabineti qeveritar dje ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se për këtë vendim janë koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”- tha ai, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjik.

A u koordinua Qeveria me ndërkombëtarët për shpalljen terroriste të organizatave në veri, flet Sveçla

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Dy organizata të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë të premtës së javës kaluar në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

Qeveria e Kosovës shpallë si organizata terroriste organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’