Foto: Departamenti Amerikan i Shtetit

Ambasada e SHBA-së nuk e komenton mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Koalicioni Global kundër terrorizmit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për KALLXO.com se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

SHBA i ka bërë thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa po punojnë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, nëse ekziston mundësia që si pasojë e këtyre veprimeve që SHBA i quan të njëanshme, të përjashtohet Kosova prej Koalicionit Global për luftim të ISIS-it.

Kallxo mëson se nga Ambasada e SHBA-së nuk kanë komente tjera për këtë çështje.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com kërkuar informacione edhe prej Bashkimit Evropian, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Koalicionit Global për luftim të ISIS-it u formua në shtator 2014.

Kosovo

86 shtetet anëtare të Koalicionit janë të përkushtuar për të luftuar Daesh-in në të gjitha frontet, për të çmontuar rrjetet e tij dhe për të kundërshtuar ambiciet e tij globale.

Përtej fushatës ushtarake në Irak dhe Siri, Koalicioni është i përkushtuar për: trajtimin e infrastrukturës financiare dhe ekonomike të Daesh-it; parandalimi i fluksit të luftëtarëve të huaj terroristë përtej kufijve; mbështetje për stabilizimin dhe rivendosjen e shërbimeve publike thelbësore në zonat e çliruara; dhe kundër propagandës së grupit.

Sipas informacioneve në ueb faqen e këtij koalicionit, Republika e Kosovës u bë pjesë në vitin 2014 dhe është anëtare aktive e Grupit Punues për Komunikim.

Ndërsa thuhet se Republika e Kosovës është ndër vendet e para që ka miratuar bazën ligjore, në përputhje me misionin e Koalicionit Global, për sanksionimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë vendit, duke përfshirë sanksionimin e propagandës në dobi të organizatave terroriste.

Në vitin 2020, Qeveria e Kosovës ka ndarë 250,000 eurove për Koalicionin Global kundër grupit militant ekstremist, i ashtuquajtur Shteti Islamik (IS).

Në Kosovë, radikalizmi para vitit 1998 konsiderohej se ishte i zbehtë dhe nuk kishte pasoja të mëdha.

Kosova, një vend me më pak se 2 milionë banorë, u bë vend i njohur në botë për shkak të shkuarjes së shumë qytetarëve në luftërat e huaja si Siri e Irak.

Mbi 400 qytetarë kosovar morën rrugën drejt Sirisë dhe Irakut në emër të islamit për të luftuar ndërsa nuk munguan as thirrjet për të tjerët që kishin mbetur në Kosovë.

Media të shumta ndërkombëtare, tabloide, përshkruan Kosovën si vatër të terrorizmit me fokus në dy komuna, Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Deri më tani Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka rikthyer në vend numrin më të madh të atyre që u bashkuan në zonat e luftës në Siri e Irak.