Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Zyra e BE-së për shpalljen e organizatave terroriste: Vendim i pakoordinuar me ne
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë deklaroi vendimi i ekzekutivit kosovar për shpalljen e organizatave terroriste nuk ka qenë i koordinuar me ta, ndonëse, dje ministri Xhelal Sveçla, tha se për këtë janë koordinuar me aleatët. Kur u pyet se për cilët partnerë bëhet fjalë ai përmendi edhe BE-në.
“Veprimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me BE-në në Kosovë” – ka konfirmuar për KALLXO.com zyra e BE-së në Kosovë.
Përveç BE-së, sot gjatë ditës edhe Departamenti Amerikan i Shtetit tha se qeveria nuk u koordinua për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt të Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”- thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH për KALLXO.com.
Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.
Kabineti qeveritar dje ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se për këtë vendim janë koordinuar me partnerët ndërkombëtar.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”- tha ai, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjik.