Gjermania për shpalljen e organizatave terroriste: Nuk ishim të njoftuar nga autoritetet kosovare
Partnerë ndërkombëtar të Kosovës kanë deklaruar sot se Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me ta për shpalljen terroriste të dy organizatave, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Sipas Ambasadës, as Qeveria gjermane nuk ishte e njoftuar paraprakisht nga autoritetet kosovare për këtë veprim.
Në një përgjigje për KALLXO.com nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë thonë se duke pasur parasysh krizën aktuale në komunat veriore, një koordinim i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm.
Përmes kësaj përgjigje Gjermania i ka bërë thirrje Kosovës të përmbahet nga çdo veprim i një anshëm.
“Është e rëndësishme të theksohet se çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”- thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane për KALLXO.com
Ambasadat e dy vendeve të QUINT-it, Francës e Anglisë kanë deklaruar se mes tyre dhe ekzekutivit kosovar nuk ka pasë koordinim për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.
Edhe, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë deklaroi vendimi i ekzekutivit kosovar për shpalljen e organizatave terroriste nuk ka qenë i koordinuar me ta, ndonëse, dje ministri Xhelal Sveçla, tha se për këtë janë koordinuar me aleatët. Kur u pyet se për cilët partnerë bëhet fjalë ai përmendi edhe BE-në.
Përveç BE-së, sot gjatë ditës edhe Departamenti Amerikan i Shtetit tha se qeveria nuk u koordinua për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.
Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.
Kabineti qeveritar dje ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.
Dy organizata të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës, janë parë gjatë të premtës së javës kaluar në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.