Dhuna në familje – temë diskutimi në mes prokurorëve dhe UD kryeprokurorit
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi bashkë me prokurorët, të cilët janë koordinatorë për rastet e dhunës në familje nga të gjitha Prokuroritë Themelore në vend kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Siç është njoftuar, ky takim është ftuar nga prokurorja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina e në takim është diskutuar për sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët në punën përditshme lidhur më trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe nevojën për të bërë tejkalimin e këtyre sfidave.
Tutje u tha se pas diskutimeve të përbashkëta, e me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kryerjes së këtyre veprave penale u nxorën edhe konkluzionet që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore.
Konkluzion i këtij takimi u tha se ishte që me qëllim të krijimit të kushteve për realizim të mandatit të Prokurorit të Shtetit për hetimin e këtyre veprave penale tu adresohen kërkesat institucioneve tjera për shtimin e mjeteve buxhetore sa i përket shtimit të numrit të mbrojtësve të viktimave, shtimin e strehimoreve për vendosjen e viktimave, rritjen e kapaciteteve në Agjencinë për Forenzikë të Kosovës si dhe shtimin e kapaciteteve në Institutin për Forenzikë Psikiatrike.
Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të jenë në një numër alarmant në Kosovë. Këto raste shpesh herë po përfundojnë edhe në vrasje të grave.
Vetëm gjatë muajit të kaluar, brenda vetëm pesë ditëve, dy gra u vranë në Kosovë.
Gjyljeta Ukella u vra nga i dyshuari, bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16.04.2024.
Kjo ishte vrasja e dytë e një gruaje brenda pesë ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12.04.2024.
Në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani e shpalli ditë zie të mërkurën, më 17.04.2024.