Franca e Anglia deklarohen lidhur me vendimin e Qeverisë për shpalljen e organizatave terroriste

Ambasadat e dy vendeve të QUINT-it, kanë deklaruar se mes tyre dhe ekzekutivit kosovar nuk ka pasë koordinim për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

Ambasada Britanike në Kosovë në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se për këtë çështje “Mbretëria e Bashkuar nuk u konsultua”.

Ndërsa, nga ambasada e Francës kanë thënë se ata nuk janë konsultuar e as nuk kanë qenë të informuar paraprakisht për këtë çështje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ambasada franceze ndër të tjera kanë përsëritur pritshmërinë e Bashkimit evropian dhe shteteve anëtare të tij në lidhje me qeverinë e Kosovës me qëllim të de eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë deklaroi vendimi i ekzekutivit kosovar për shpalljen e organizatave terroriste nuk ka qenë i koordinuar me ta, ndonëse, dje ministri Xhelal Sveçla, tha se për këtë janë koordinuar me aleatët. Kur u pyet se për cilët partnerë bëhet fjalë ai përmendi edhe BE-në.

“Veprimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me BE-në në Kosovë” – ka konfirmuar për KALLXO.com zyra e BE-së në Kosovë.

Zyra e BE-së për shpalljen e organizatave terroriste: Vendim i pakoordinuar me ne

Përveç BE-së, sot gjatë ditës edhe Departamenti Amerikan i Shtetit tha se qeveria nuk u koordinua për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut” organizata terroriste.

DASH: Qeveria e Kosovës është dashur të koordinohet me partnerët për shpalljen e organizatave terroriste

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Kabineti qeveritar dje ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se për këtë vendim janë koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”- tha ai, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjik.