A u koordinua Qeveria me ndërkombëtarët për shpalljen terroriste të organizatave në veri, flet Sveçla
Kabineti qeveritar sot ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se për këtë vendim janë koordinuar me partnerët ndërkombëtar.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”- tha ai, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjik.
Ai shtoi se janë vendet demokratike ato me të cilat Kosova ndan vlera të përbashkëta.
“Janë vendet demokratike, BE, EULEX dhe misioni i KFOR, që ndajmë vlera të përbashkëta”- tha ai.
Ministri i Brendshëm bëri të ditur se përmes këtij vendimi, grupeve të listuar, në mënyrë të menjëhershme u ndalohet veprimtaria.
I pyetur nëse ka informata për futjen e shtetasve rusë në Kosovë, Svçela tha se nuk e përjashton mundësinë që ndonjë element kriminel destabilizues është futur në territor të Kosovës.
“Ne ndajmë një vijë të gjate me Serbinë andaj edhe hyrja e ndonjë elementi kriminal nuk është i pamundshëm dhe nuk mund te garantoj që nuk është fut askush”- tha ai.
Qeveria sot ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Dy organizata të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë të premtës së javës kaluar në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.