Gabriel Escobar në takim me Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha dhe familjen e Afrim Bunjakut. Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Escobar gjatë vizitës në Kosovë takoi drejtorin e Policisë dhe familjen e heroit Afrim Bunjaku

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë është takuar edhe me familjen e heroit Afrim Bunjaku si dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Policia e Kosovës bën të ditur se në prani të ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, Escbobar shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të rreshterit Bunjaku.

“Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës” – thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Në këtë takim, siç thuhet në njoftim, Hoxha informoi Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj Policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

Ata u informuan po ashtu edhe për situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Policia tha se Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës dhe se ky i fundit përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë Policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 25.09.2023, e ka shpallur Afrim Bunjakun “Hero i Kosovës”.

Ndërkohë, Parlamenti Europian, më 19.10.2023 ka miratuar Rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri.

Bashkimi Evropian ndërkaq është në pritje të raportit përfundimtar të hetimit të sulmit në Banjskë.

“Qëndrimi i Bashkimit Europian mbetet i njëjtë, presim zyrtarisht raportin përfundimtar mbi hetimin dhe atëherë do të shohim se si të veprohet tutje. Deri tani këtu në Bruksel nuk kemi parë asnjë raport”- tha Stano në një konferencë për media më 11.03.2024.

Escobar ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë më 13.03.2024 dhe përgjatë dy ditëve ka takuar personalitetet e larta politike të vendit, ka vizituar Manastirin e Deçanit, ka takuar autoritetet lokale në Pejë si dhe ka komunikuar me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.

Gabriel Escobar në takim me Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha dhe familjen e Afrim Bunjakut. Foto: Policia e Kosovës/Facebook
Gabriel Escobar në takim me Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha dhe familjen e Afrim Bunjakut. Foto: Policia e Kosovës/Facebook