I pandehuri Valon Aliu në gjykatë, Foto: KALLXO.com
E kaluara kriminale e Valon Aliu, të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj
Valon Aliu, 36-vjeçari i dyshuar autor i vrasjes së ish-bashkëshortes së tij, 21-vjeçares Erona Cokli, është i njohur për sistemin e drejtësisë nga e kaluara.
KALLXO.com ka kërkuar qasje në të dhënat për të kaluarën kriminale të Valon Aliut nga Gjykata Themelore në Ferizaj, të cilët kanë konfirmuar se mbi Aliun, në të kaluarën kanë figurar disa dosje penale.
Madje ndaj tij ka vendime edhe nga gjykata.
Gjykata i ka thënë KALLXO.com se në bazë të Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) dhe Evidencës së lëndëve fizike, i pandehuri Valon Aliu ka të regjistruar disa dosje penale të cilat janë të përfunduara.
Në vitin 2007, Aliu ka qenë i akuzuar për shkak të veprës penale lëndim i lehtë trupor, për të cilën i është shqiptuar masë edukative-mbikëqyrje e shtuar nga ana e prindit, i cili aktvendim është bërë i plotfuqishëm më datë 12.04.2008.
Në vitin 2012, Valon Aliu kishte qenë i akuzuar për shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor për të cilën i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 350 euro, i cili aktgjykim është bërë i plotfuqishëm më datë 05.03.2015, të cilin e ka paguar.
Në vitin 2016, Valon Aliu ishte akuzuar për shkak të veprës penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, për të cilën i është shqiptuar dënim me burg prej 2 muajve. Në vendimin e gjykatës thuhet se ky dënim nuk do të ekzekutohej, nëse i pandehuri në afat prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër ose të ngjashme penale. Ky aktgjykim ishte bërë i plotfuqishëm më datë 13.02.2019.
Në vitin 2021, Valon Aliu figuron se ishte i akuzuar për shkak të veprës penale nxitja e akteve seksuale me premtimin e rrejshme për martesë, mirëpo Gjykata ka konfirmuar se kjo aktakuzë ishte refuzuar.
Në vitin 2022, Aliu figuron si i akuzuar për shkak të veprës penale kanosja për të cilën i është shqiptuar dënim me burg prej 6 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër ose të ngjashme penale. Ky aktgjykim ishte bërë i plotfuqishëm më datë 14.11.2022.
Dhe rasti i fundit si i dyshuar për veprën penale vrasje e rëndë dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, atij iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Valon Aliu, 36-vjeçar më 12.04.2024, dyshohet se për tu marrë vesh në lidhje me fëmijën 1-vjeçar, ishin bërë bashkë në Qendrën për Punë Sociale me tashmë viktimën Erona Cokli, e që në këtë takim ishte edhe vëllai i 21-vjeçares.
Takimi ishte duke u zhvilluar në zyrën e njërës nga punëtoret sociale, Qëndresa Zymeri, brenda hapësirave të Qendrës për Punë Sociale.
Zyrtarja sociale në këtë rast, në bazë të dosjes, është dëshmitare e rastit tragjik që u shënua në Ferizaj më 12.04.2024.
Në bazë të dëshmisë së saj që ka siguruar KALLXO.com, punëtorja sociale ka rrëfyer brenda zyrës së saj, se i dyshuari kishte shtënë disa herë në drejtim të ish-bashkëshortes së tij 21-vjeçare.
Edhe vetë i dyshuari në deklarimin e tij pas arrestimit, ka treguar se në zyrë ishin takuar me ish-bashkëshorten, vëllain e saj 15-vjeçar dhe punëtoren sociale.
Sipas dëshmisë së të dyshuarit, ka pasur një fjalosje me ish-bashkëshorten e më pas ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka shtënë në drejtim të saj dhe vëllait të saj.
Pasi kishte shtënë me armë zjarri, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Avokati i të dyshuarit, Ramadan Sylejmani, tha në seancë se Valon Aliu ishte dorëzuar vetë në polici.
Valon Aliu 36-vjeçar, është baba i katër fëmijëve, tre i kishte me një grua tjetër dhe një fëmijë 1-vjeçar e kishte me 21-vjeçaren, të cilën dyshohet se e vrau më datë 12.04.2024.
Të dy kishin 10 muaj që ishin ndarë, ndërsa ishin edhe në procedurë të kujdestarisë.
Një natë para se të zhvillohej takimi mes 36-vjeçarit dhe 21-vjeçares, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, i dyshuari tha se ishin fjalosur mes vete në rrjetin social Instagram.
Në bazë të dosjes së prokurorisë, Valon Aliu dyshohet se ka goditur në kokë disa herë 21-vjeçaren dhe ka plagosur në krah vëllain e saj.
Arma që ishte përdorur në rast, sipas prokurorit, ishte pistoletë e tipit Zoraki m2906-T me kalibër 9 milimetër. Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët. Arma gjithashtu sipas dosjes, dyshohet se është blerë nga Valon Aliu nga një klient i tij.
Gjykata e Ferizajt me 13.04.2024 ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 36-vjeçarit Valon Aliu.
Gjykata vendos ndaj 36-vjeçarit, të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj