Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Valon Aliut, i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj, Foto: KALLXO.com
Gjykata vendos ndaj 36-vjeçarit, të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj
Gjykata e Ferizajt ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 36-vjeçarit Valon Aliu, i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Ndaj Aliut rëndojnë veprat penale – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë në Ferizaj, Vjosa Baftiu.
“Po aq sa bisedova me prokurorin më konfirmoi se është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh” – tha Baftiu për KALLXO.com.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë që u mbajt më 31.04.2024, prokurori i Ferizajt, Valdet Avdiu, paraqiti dyshimet që janë ngritur për ngjarjen tragjike që ndodhi më 12.04.2024.
Ai tha se ngjarja kishte ndodhur në zyrën e njërës prej punëtorëve sociale në QPS Ferizaj.
Prokurori Avdiu tha se ndaj Valon Aliut ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën Erona Coklin, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës.
Arma që u përdor në rast sipas prokurorit Avdiu ishte pistoletë e tipit Zoraki m2906-T me kalibër 9 milimetër. Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët.
Sipas kallëzimit penal që ka siguruar KALLXO.com, dëshmitare në këtë rast ka qenë punëtorja sociale Qëndresa Zymeri, e cila pos tjerash ka deklaruar se më 12.04.2024, rreth orës 14:40, në zyrën e saj në QPS, i pandehuri ka shtënë me armë disa herë në drejtim të të ndjerës, si dhe në drejtim të dëmtuarit – vëllait të viktimës.
Edhe i dyshuari në deklaratën e tij në polici ka thënë se brenda në zyre është takuar me të ndjerën , vëllain e saj dhe punëtoren e QPS-së. Aty edhe ka filluar fjalosja dhe në një moment ka nxjerrë armën dhe fillimisht ka shtënë në drejtim të të ndjerës apo vëllait të saj pastaj sërish ka shtënë dy apo tri herë në drejtim të të ndjerës Erona Cokli dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Kurse sa i përket armës thuhet se të njëjtën e ka blerë në Ferizaj nga një klient dhe nuk ka pasur leje për armë.
Dosja e prokurorisë: Vrasja e 21-vjeçares ndodhi brenda zyrës së punëtores sociale
Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, i dyshuari e kishte blerë armën nga një klient i tij
Çka deklaroi në gjykatë i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj? (VIDEO)