E kaluara kriminale e Iran Badallit, i arrestuar pas vrasjes së policit Sami Thaqi

Iran Badalli është personi i arrestuar pas vrasjen së zyrtarit policor Sami Thaqi në fshatin Zhur të Prizrenit.

KALLXO.com ka siguruar informacion se i njëjti dyshohet për tetë vepra penale, shumica prej të cilave kanë të bëjnë me vjedhje.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, Badalli akuzohet për një rast të dhunës në familje i cili ka ndodhur me 3 shtator të vitit 2019.

Në lidhje me këtë rast, shqyrtimi i dytë është mbajtur me 15 janar të këtij viti, ndërsa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 12 shkurt 2020.

Ndaj të dyshuarit Iran Badalli është lëshuar edhe një urdhër mbrojtje me datë 5 tetor të vitit të kaluar.

Përveç akuzave për dhunë në familje, Iran Badalli akuzohet edhe për një rast të kanosjes, i cili ka ndodhur me 14 maj të vitit 2018, aktakuzë kjo e cila është hedhur.

Në listën e veprave për të cilat akuzohet Badalli janë edhe tri raste të vjedhjeve të shërbimeve komunale.

Në këto tri raste, ku i dyshuari akuzohet për vjedhje, lëndët ende janë aktive.

Iran Badalli, si i dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor akuzohet edhe për një rast të vjedhjes së pyllit, rast ky i cili ka ndodhur më 27 nëntor 2019.

Badalli është person i akuzuar edhe për një vjedhje të rëndë e cila ka ndodhur më 23 tetor të vitit 2018.

KALLXO.com ka siguruar informacion se Iran Badalli ishte i dënuar me 6 muaj burg dh 300 euro dënim me gjobë, për një vjedhje në bashkëkryerje  e cila kishte ndodhur në viti 2014.

Për këtë vepër penale Badalli ka mbajtur burg prej gjashtë muajsh.

Mbrëmë, në fshatin Zhur të Prizrenit, është vrarë zyrtari policor Sami Thaqi, si dhe  dy pjesëtarë të tjerë të policisë dhe një fëmijë kanë mbetur të lënduar nga incidenti gjatë bastisjes së një shtëpie.

Shpërthimi që rezultoi fatal për Sami Thaqin ka ndodhur në shtëpinë e Iran Badallit, në fshatin Zhur të Prizrenit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e Sami Thaqit dhe nga 10 mijë për dy të lënduarit.

FOTO: Zyrtarët të shumtë policorë mblidhen në varrimin e Sami Thaqit

Polici pëson djegie në fytyrë gjatë operacionit në Zhur