Foto: KALLXO.com
Shpërthimi në Zhur, ku u vra një polic, i akuzuari e quan rastin "montazh", kërkon drejtësi
Iran Badalli dhe Arben Gashi, të akuzuarit për rastin që ka rezultuar në vdekjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve në incidentin e janarit të vitit 2020, në fshatin Zhur të Prizrenit gjatë një bastisjeje, kanë kërkuar drejtësi nga Gjykata.
Pas një thirrjeje për dhunë në familje, njësitet policore të Anti-drogës kishin ndërhyrë në shtëpinë e Iran Badallit, ku një eksploziv shpërtheu, duke shkaktuar vdekjen e policit Sami Thaçi.
Të enjten, Iran Badalli e ka konsideruar rastin e shpërthimit si një “montazh”.
“Kërkoj nga trupi gjykues veç drejtësi me pasë, kurrgjë tjetër, veç drejtësi me pasë se unë nuk kam të bëj me këtë rast asnjë send hiç, veç montime m’i kanë ba këta mua”- u shpreh i akuzuari Iran Badalli.
Mbrojtësi i tij, Valdrin Gashi, ka argumentuar se Badalli nuk ishte në shtëpi në momentin e shpërthimit.
“Prokuroria po kërkon që Iran badalli të dënohet vetëm e vetëm që në shtëpinë e tij ka shpërthyer një eksploziv dhe i është gjetur një tjetër. Por a mund që dikush t’ia ketë montuar? Natyrisht që po! Dhe kjo është vërtetuar ngase i njëjti asnjëherë nuk ka pasë dijeni për këtë, sepse as ai nuk do të kishte fjetur në shtëpinë e tij dhe lëre më të lërë fëmijët e tij vetëm aty”-ka deklaruar avokati Gashi.
Gashi ka shtuar se i akuzuari Badalli ishte mashtruar dhe manipuluar dhe se nuk është fajtor për ngjarjen.
“Irani është futur në kurth, është mashtruar dhe manipuluar e assesi nuk është fajtor lidhur me këtë rast sepse në shtëpinë e tij ia kanë montuar eksplozivin vetëm e vetëm për t’ia veshur atij këtë krim, por që kjo pa dyshim do të vërtetohet se ai ka qenë vetëm i dëmtuar në këtë rast”-tha Gashi.
Mbrojtësi Gashi ka theksuar se dëshmitë e deritanishme nuk e provojnë se Badalli ka dërguar eksplozivin në shtëpinë e tij dhe se bastisja nga Policia në atë ditë ishte e paligjshme dhe nuk u zhvillua sipas procedurave ligjore.
Avokati ka theksuar se nuk ekziston asnjë ekspertizë që ka vërë dritë mbi shpërthimin e eksplozivit.
Në anën tjetër, Esat Gutaj, mbrojtësi i Arben Gashit, ka shprehur keqardhje për vdekjen e policit, por ka theksuar se klienti i tij nuk ka përgjegjësi për këtë ngjarje.
“Ju lutemi të vlerësoni provat me kujdes. Arben Gashi është i gatshëm të pranojë përgjegjësinë për blerjen e mjetit shpërthyes bashkë me Valbon Çollakun dhe Iranin, por nuk do të pranojë veprimet e tjera të ndërmarra pa dijeninë e tij”- ka thënë avokati Gutaj.
Gutaj ka shtuar se provat nuk dëshmojnë ekzistencën e elementeve të nevojshëm për të dënuar Arben Gashin për veprën penale për të cilën është akuzuar.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka shpallur fundin e gjyqit në shkallë të parë. Shpallja e aktgjykimit është caktuar për më 19 shtator 2023.
Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.
Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.
Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 centimetra.
Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallit dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.
Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.
Gjykata në Prizren të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.
Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe armëmbajtje pa leje.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.