Gjykata e Apelit ka vendosur për të akuzuarit për shpërthimin në Zhur, nga i cili ishte vrarë polici Sami Thaçi

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit sipas të cilit me nga 12 vjet burgim ishin dënuar Iran Badalli dhe Arben Gashi, të akuzuar për rastin e shpërthimit me eksploziv në Zhur, nga i cili kishte vdekur një polic dhe ishin plagosur tre policë të tjerë si dhe fëmija i të akuzuarit Badalli.

Gjykata e Prizrenit më 12.09.2023 i kishte dënuar me nga 12 vjet burg Iran Badallin dhe Arben Gashin për veprat penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasojë vdekjen dhe – armëmbajtje pa leje.

Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2020, kur po kryhej një bastisje në shtëpinë e Iran Badallit, pas një thirrjeje për dhunë në familje.

Nga shpërthimi ishte vrarë polici Sami Thaçi.

Kundër këtij vendimi të Gjykatës së Prizrenit, ankesa kishin paraqitur Prokuroria e Prizrenit, e cila kishte kërkuar ashpërsim të dënimit.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Badalli, avokatja Emira Avazaj – Gashi, kishte kërkuar që aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit të ndryshohej ose të anulohej, duke kërkuar lirimin e Badallit ose çështja të kthehej në pikën zero.

Kërkesë të ngjashme sikur mbrojtja e Badallit kishte bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arben Gashi, avokati Esat Gutaj.

Gjykata e Apelit ankesat e palëve i kishte konsideruar si të pabazuara, duke e vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore.

“Gjykata e Apelit, gjen se pretendimet e lartë cekura ankimore janë të pabazuara, ngase, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale ngase, diapozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu, i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe gjithashtu edhe përpilimi i diapozitivit, është bërë konform dispozitave ku janë përfshirë të giitha faktet dhe rrethanat përkitazi me ngjarjen kritike, fakte dhe rrethana këto nga të Cilat plotësohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprave penale shkaktimi i rrezikut të përgjithslıëm në bashkëkryerje”- arsyetoi Apeli në vendimin e datës 08.02.2024.

Sipas gjyqtarëve të Apelit, Zyhdi Haziri – kryetar, Xhevdet Abazi dhe Mehmet Ndrecaj, vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit është i arsyetuar qartë për kohën, vendin dhe mënyrën se si është kryer vepra penale.

“Kështu, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsyeja të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale, dhe po ashtu, edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga të akuzuarit, e duke konstatuar kështu, se përse, konsideron se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale, e jo, sikur që pretendojnë mbrojtësit e të akuzuarve, se nuk ka prova nga të cilat vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale në fialë”- vazhdon tutje Gjykata e Apelit.

Sipas Apelit, vendimi i Themelores është i drejtë dhe është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat i ngarkon Prokuroria.

“Është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprave penale për të cilat të akuzuari edhe janë shpallur fajtorë, prandaj, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në dëm të akuzuarve, kur, është vendosur si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar”- thotë Gjykata e Apelit.

Vendimi i Gjykatës së Prizrenit i datës 19.09.2023 është dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Ajser Skenderi me anëtarët Kymete Kicaj dhe Luan Berisha.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë policorë: Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, si dhe vajza e të akuzuarit Badalli ishin plagosur.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramë dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallit dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata e Prizrenit të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.