Seanca ndaj Iran Badallit
Shpërthimi në Zhur që la të vdekur një polic, gjykimi ndaj Iran Badallit drejt fundit
Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Iran Badalli, i cili po gjykohet për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Një polic i Kosovës ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur në incidentin që ka ndodhur në janar të vitit 2020 në fshatin Zhur të Prizrenit, kur po kryhej një bastisje.
Në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Iran Badalli, pas një thirrje për dhunë në familje njësitet policore hasën në një eksploziv, nga shpërthimi i të cilit u vra polici Sami Thaçi.
Në seancën e sotme fjala përfundimtare është shoqëruar me tensione e kundërshti mes mbrojtësit të të akuzuarit dhe përfaqësuesit të të dëmtuarit.
Besnik Berisha, përfaqësues i të dëmtuarit, Artur Mrasori e ka quajtur “prind i papërgjegjshëm” dhe “kriminel” të akuzuarin Iran Badalli.
“28 janari i vitit 2020, shënoi një nga ditët më të kobshme për së paku 3 familje, la disa jetima pa kujdesjen e prindit, shkaktoi lëndime me pasoja jetësore dhe përçoi mesazh se ata që luftojnë krimin dhe kriminelët mund të bien pre e kurthit, mund të vriten në kryerje të detyrës sikurse që mund të pësojnë lëndime të rënda trupore me pasoja jetësore, jo për shkak se ishin në luftë por për shkak ju përgjigjen thirrjes së dy fëmijëve për ndihmë nga një baba që përveç se ishte i papërgjegjshëm si prind rezultoi të ishte edhe kriminel, që për ta siguruar kafshatën ai nuk u mor me punë të ndershme, por zgjodhi metoda e mjete të kundërligjshme”- ka deklaruar avokati Berisha.
Mbrojtësi Besnik Berisha mes tjerash ka shtuar se Iran Badalli dhe Arben Gashi kishin njohuri se thirrja ishte nga Policia si dhe e dinin se në shtëpi kishte fëmijë, dhe nuk u penduan për krimin e kryer dhe nuk kanë ndërmarr asnjë veprim për t’i njoftuar se çfarë do t’i gjejnë ata kur të ngjiten në katin e dytë.
“Sot edhe tre vite e gjysmë pas, jemi falënderues se në atë shtëpi nuk ka pasur dëshmitarë sepse do të kishte edhe më shumë viktima, do të kishte më shumë të lënduar dhe se pasojat do të ishin akoma më të mëdha” – ka thënë Berisha.
Reagime sa u përket termeve ‘kriminel’ dhe ‘prind i pandërgjegjshëm’ pati mbrojtësja e Iran Badallit duke i kujtuar se pretendimet e lartcekura paraqesin shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Nuk mund ta lejoj të tejkaloj një definim i tillë dhe atë të definohet thjesht mbi supozime dhe atë prind i papërgjegjshëm, e aq më tepër një definim që më vjen për t’u habitur që një koleg i cili është mjaft medial sikurse u potencua në drejtim termi kriminel. Kur ne të jemi juristë, më tepër duhet të jemi profesional e jo emocional dhe kërkoj nga trupi gjykues të jetë vëzhgues në fjalën përfundimtare të secilit që shkojnë në shkelje të prezumimit të pafajësisë, të përcaktuar në nenin 6, paragraf 2 të Konventës Evropiane dhe Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe aq më tepër mbrohet me Kushtetutë dhe me legjislacionin tonë të brendshëm”- ka thënë avokatja Emira Gavazaj-Gashi.
Avokatja Emira Gavazaj-Gashi tutje ka shtuar se edhe pas 3 vite e gjysmë gjykim ende nuk kanë pranuar raportin e ekspertizës nga ana e Prokurorisë.
“Habitem se si ky rast ka marr emërim ‘Shpërthimi në Zhur’, ndërsa ne nga ana e Prokurorisë ende nuk kemi një raport të ekspertizës të shpërthimit të eksplozivit. A thua çfarë shpërthimi ishte mekanik apo elektronik, me prekje apo telekomandë. Përsëri këtu kemi vetëm supozime dhe nuk është e qartë se si ka shpërthyer” – ka sqaruar avokatja e të akuzuarit.
Mbrojtja ka përfunduar duke konsideruar se i vetmi aktgjykim meritor për të akuzuarin është aktgjykimi lirues pasi Prokuroria nuk ka rritur të dëshmojë nga provat se Badalli ka kryer veprën penale.
Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi ,e cila ka kërkuar dënimin e të akuzuarit.
Edhe Blerim Mazreku, përfaqësues i palës së dëmtuar Merita Qunaj, ka kërkuar dënimin e dy të akuzuarve duke shtuar se familjarët e tani të ndjerit Sami Thaçi kërkojnë drejtësi.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës dhe angazhimeve të prokurores në rastin e kujdestarisë, gjykimi i sotëm u ndërpre.
Seanca e radhës u caktua më 14 shtator 2023.
Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.
Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.
Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 centimetra.
Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallit dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.
Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.
Gjykata në Prizren të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.
Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe armëmbajtje pa leje.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.