Shpërthimi nga i cili vdiq një polic dhe u plagosën tre të tjerë, Gjykata shpalli fajtorë Iran Badallin e Arben Gashin

Gjykata e Prizrenit e ka dënuar me 12 vjet burg Iran Badallin për rastin e shpërthimit me eksploziv në Zhur, nga i cili vdiq një polic dhe u plagosën tre policë të tjerë si dhe fëmija i të akuzuarit.

I akuzuari i dytë, Arben Gashi, gjithashtu u dënua me 12 vjet burg për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm me pasojë vdekjen dhe veprën penale – armëmbajtja pa leje.

Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2020, kur po kryhej një bastisje. Në shtëpinë Iran Badallit, pas një thirrjeje për dhunë në familje, njësitet policore hasën në një eksploziv, nga shpërthimi i të cilit u vra polici Sami Thaçi.

Gjykata fillmisht Badallit i ka shqiptuar 11 vjet burgim për veprën penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, kurse për armëmbatje pa leje 2 vjet. Kurse dënimi unik – 12 vjet burg.

Ky vendim është dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Ajser Skenderi me anëtarët Kymete Kicaj dhe Luan Berisha.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë policorë: Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi,  si dhe vajza e të akuzuarit Badalli ishin plagosur.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramë dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallit dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata e Prizrenit të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.