Protestë nga "Replikë". Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Dita për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e gjeti Kosovën me gjashtë gra të vrara vetëm në 2020-ën
Dënimet e gjykatave të Kosovës ndaj të akuzuarve për vrasje të grave, thirrjet për të drejtat e njeriut, protestat e marshimet, nuk po mjaftojnë që njerëzit të vetëdijesohen për të drejtat themelore njerëzore.
‘Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave’ e gjen Kosovën me shumë gra e vajza viktima të dhunës e të vrasjes.
Bazuar në të dhënat e Policisë në periudhën janar-shtator të këtij viti gjashtë gra janë vrarë, katër prej të cilave cilësohen si ‘vrasje të rënda.’
Ndërsa, brenda kësaj periudhe janë raportuar 1571 raste të dhunës në familje me 1596 viktima, prej të cilave janë evidentuar 1 mijë e 222 viktima vajza dhe gra.
Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore nga ‘Rrjeti i Grave të Kosovës’ tha për KALLXO.com, se gjatë pandemisë ka pasur një rritje të numrit të raportimit të dhunës në familje, e sidomos ndaj vajzave dhe grave.
Sipas Berishës, të dhënat zyrtare thonë se ka pasur rritje për 30% për dallim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ajo tha se institucionet e drejtësisë nuk po bëjnë mjaftueshëm për rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave.
“Bazuar në punën tonë, monitorimin dhe hulumtimet që kemi bërë, institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë më shumë për të trajtuar ne mënyre të drejtë rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave” tha Berisha.
Ajo tha se tani që Kosova është zotuar se do të zbatoj edhe Konventën e Stambollit, e cila lufton të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave, institucionet obligohen që të i trajtojnë me prioritet këto raste.
“Konventa i obligon institucionet vendore, me theks të veçantë ato të drejtësisë që këto raste t’i trajtojnë me prioritet si dhe t’i kushtojnë rëndësi seriozitetit të veprës së shkaktuar në mënyrë që edhe dënimet të jenë konform veprës së shkaktuar”, theksoi Berisha.
Sipas aktivistes për të drejtat e grave, institucionet e drejtësisë nuk duhet të mjaftohen vetëm me prioritizim të rasteve por edhe me një qasje të duhur gjatë trajtimit të këtyre rasteve.
“Ne kemi parë shpesh që dënimet e ushtruesve të dhunës ndaj grave dhe vajzave shpesh janë minimale. Kjo duhet të ndryshojë, në mënyrë që si shtet dhe si shoqëri ta japim mesazhin se kemi zero tolerance ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave”, tha Berisha.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj me qëllim të sensibilizimit të opinionit publik, ua rikujton institucioneve shtetërore detyrimet e tyre për t’u ofruar viktimave të dhunës mbrojtje të përshtatshme dhe të menjëhershme nga rreziku i dhunës.
“Dhuna ndaj grave dhe ndaj vajzave është forma e përhapur e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Të dhënat tregojnë se një në tri gra në botë ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe kryerësi i dhunës shpeshherë është një burrë nga familja e ngushtë e viktimës” thuhet në komunkatën e Avokatit të Popullit.
Sipas tij, kufizimet në lëvizje gjatë pandemisë COVID-19 dhe rritja e dhunës ndaj grave obligon autoritetet shtetërore që në të ardhmen të ndërmarrin hapa për të siguruar që shtëpia të mos bëhet përsëri një vend frike për gratë e vajzat.
Tutje, ai ka thënë se përfshirja e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në Kushtetutën e Kosovës është një hap pozitiv në zbatimin e rekomandimit të tij nga ana e Kuvendit.
Kryeministri Avdullah Hoti me rastin e kësaj dite ka thënë se forma më e fuqishme e konsolidimit afatgjatë të gruas në shoqëri mendoj se është duke i pavarësuar ato.
“Dhuna ndaj gruas është një fenomen që duhet të çrrënjoset. E dimë sa e rëndësishme që gratë të kenë trajnimin njerëzor human por edhe trajtimin e barabartë në shoqëri”, tha Hoti konferencën e mbajtur për shënimin e kësaj dite.
Sipas tij, ka diferenca të mëdha gjinore në tregun e punës dhe se meshkujt janë katër herë më të përfaqësuar se gratë.
Hoti tha se do ta nënshkruajnë një marrëveshje, për ta zbutur problemin.
Edi Gusia, krye-shefe e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të ZKM-së tha se vlera totale e pakos për rimëkëmbjen ekonomike për këtë agjenci është një milion euro.
Në muajin shtator Gjykata e Gjakovës e dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg për vrasjen e vajzës 9 vjeçare dhe gruas 34 vjeçare.
Fushata vjetore “16 Ditëve Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” që fillon sot e mbaron me 10 dhjetor ka për qëllim që të bashkoj të mbijetuarit e dhunës, qytetarët, aktivistët, vendimmarrësit të bashkohen në luftën për parandalim dhe eliminim të dhunës.
Fushata do të vazhdojë deri në Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Vitin e kaluar, kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kishin marrë ngjyrë portokalli në nisje të kësaj fushate.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 25 nëntorin si ‘Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave’ dhe ka ftuar qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të që të organizojnë aktivitete për të ngritur ndërgjegjësimin e njerëzve për këtë problem.