'Mjaft me konferenca! Shpallne gjendjen emergjente tani!' - Vendoset mbishkrim gjatë konferencës së Haxhiut - VIDEO

Gjatë konferencës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, një gazetare vendosi në foltore mbishkrimin “Mjaft me konferenca! Shpallne gjendjen emergjente tani!”.

Në konferencë, ministrja Haxhiu po prezantonte propozimet e dala pasi që ajo u takua me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë pas vrasjeve të dy grave gjatë ditëve të fundit në vend.

Gjatë vendosjes së mbishkrimit, ministrja tha se e kupton rastin por që duhet të vazhdojë me konferencë për të shpalosur propozimet.

Gjyljeta Ukella u vra nga i dyshuari bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16.04.2024. Kjo është vrasja e dytë e një gruaje brenda pesë ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12.04.2024. Në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur ditë zie të mërkurën – 17.04.2024.