(VIDEO) Pjetër Ndrecaj i qetë kur i shqiptohet dënimi për vrasjen e gruas dhe vajzës
Me shumë qetësi Pjetër Ndrecaj i ka zgjatur para gardianit duart për tu prangosur pak minuta pasi ka marrë njoftimin se do qëndroj në burg për 24 vite e gjashtë muaj me akuzën se vrau vajzën 9 vjeçare dhe gruan 34 vjeçare.
Prangosja ka zgjatur për disa sekonda ndërsa Ndrecaj i është ofruar për nënshkrim një dokument nga gardianët.
Prangat janë vendosur në dy duart ndërsa Ndrecaj është larguar nga dera e gjykatës duke e ngritur kokën lartë.
24 vite e 6 muaj burgim është dënimi që iu dha Pjetër Ndrecajt, për vrasjen e gruas së tij Valbonës, atëherë 34 vjeçe dhe vajzës së tij Klarës, 9 vjeçare.
Gjatë shqiptimit të dënimit nga kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, i akuzuari për vrasjen e dyfishtë Pjetër Ndrecaj ishte kryesisht i qetë.
Kjo qetësi e Pjetër Ndrecaj, e ka karakterizuar gjatë gjithë gjykimit, përveç që në fjalën përfundimtare, ku kishte thënë “Shkëlzeni mi past në qafë fëmijët”.
Jo vetëm sot, por edhe kur ishte gjykuar herën e parë, ai kishte të njëjtin qëndrim edhe pse në sallë të gjykimit kishte prezente shumë kamera.
I akuzuari për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, u soll i prangosur dhe i përcjellur nga policia në gjykatë, ku mori dënimin mbi 24 vite burgim.
Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit 2018, ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.
Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.
Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.
Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.
Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.