Foto: KALLXO.com
Kupolat e Bibliotekës Kombëtare bëhen portokalli në nisje të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore
Kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kanë marrë ngjyrë portokalli në nisje të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”.
Ky event është mbajtur në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
“Dhuna nuk është diçka private, është kriminale. Viktimat nuk duhet të turpërohen por ai që e ka bërë fajin”, tha Ulrika Richardson, koordinatore për zhvillim nga ekipi i Kombeve të Bashkuara në eventin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare.
Ansambli “Zanat” kënduan këngën “Një lule” nga Rexho Mulliqit, e cila u dedikohet grave.
Adelina Thaqi nga “Zanat” tha se emri i këtij ansambli simbolizon gruan e fortë, mbështetëse e paqësore.
Pjesëmarrës ishin Alia El-Yassir, drejtoreshë rajonale e grave të Kombeve të Bashkuara për Europën dhe Azinë Qendrore dhe përfaqësuese në Turqi, ish-presidentja Atifete Jahjaga, ambasadorja e Suedisë, Karin Nernmarck Ahliny, aktivistë të UN Women dhe shumë qytetarë të Kosovës.
Ndërsa, arsyeja e ndezjes së ngjyrës portokalli është për shkak të ndriçimit të saj.
Raporti i OSBE-së për vitin 2018 thekson se 13 vdekje të grave kanë ndodhur nga mbi 1 mijë raste të dhunës në familje gjatë periudhës janar-shtator.
Për nëntë muajt e këtij viti, aq sa edhe kanë të dhëna autoritetet e rendit, janë raportuar më shumë se 1.130 raste të dhunës në familje, në të cilat pjesa më e madhe e viktimave janë gra.
Fushata do të vazhdojë deri në Ditën e të Drejtave të Njeriut.