Hoti: Dhuna ndaj gruas duhet të çrrënjoset
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se dhuna ndaj gruas është një fenomen që duhet të çrrënjoset. Sipas tij është e rëndësishme që gratë të kenë trajnimin njerëzor human por edhe trajtimin e barabartë në shoqëri.
Këtë deklaratë Hoti e bëri në një konferencë me rastin e shënimit të 25 Nëntorit – Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas.
“Dhuna ndaj gruas është një fenomen që duhet të çrrënjoset. E dimë sa e rëndësishme që gratë të kenë trajnimin njerëzor human por edhe trajtimin e barabartë në shoqëri. I jam mirënjohës zonjës Gusia për bashkëpunimin që e kemi në qeveri, besoj që është kauza më e fisnike për t`u angazhuar, dhe besoj qe forma më e fuqishme e konsolidimit afatgjatë të gruas në shoqëri mendoj se është duke i pavarësuar ato”, tha Hoti.
Sipas tij ka diferenca të mëdha gjinore në tregun e punës dhe se meshkujt janë katër herë më të përfaqësuar se gratë.
Hoti tha se do ta nënshkruajnë një marrëveshje, për ta zbutur problemin.
“Pra 4 herë meshkujt janë më shumë të përfaqësuar sesa gratë. Përveç që është shkelje e të drejtave njerëzore është edhe problem shoqëror. Marrëveshja që nënshkruhet sot është e një rëndësie të veçantë, jam i vetëdijshëm që pandemia na ka prekur të gjithëve dhe shpresoj që kjo masë prej 2 milion, ku 1 milion do të ndahen gjatë javëve të ardhshme e zbusin këtë problem”, tha ai.
Ndërsa, Edi Gusia, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të ZKM-së tha se vlera totale e pakos për rimëkëmbjen ekonomike për agjencinë është 1 milion euro.
“Sot vlera totale e pakos për rimëkëmbjen ekonomike për agjencinë është 1 milion euro, dhe janë 115 çerdhe private që kanë përfituar nga ndihma e qeverisë”, shtoi ajo.