Haxhiu: Femicidin do ta bëjmë si vepër të veçantë në Kodin penal
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka treguar se cilat janë propozimet e dala nga takimi që ka pas me udhëheqësit e sigurisë dhe drejtësisë, por edhe me grupin ndërministror pas rasteve të ditëve të fundit të vrasjes së grave nga bashkëshortët e tyre.
Haxhiu thotë se ndër propozimet janë nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrjen elektronike, vlerësimi i rrezikshmërisë në secilin rast të dhunës, ashpërsimi i dënimeve për armëmbajtje pa leje, analizimi se si bëhet pajisja me armë të ftohta, hapja e konkursit nga Këshilli Prokurorial për zyrtarë të mbrojtjes të cilët aktualisht janë 22 për 200 raste të dhunës në familje që lajmërohen në muaj sipas Haxhiut.
Tutje, ajo thotë se duhet të adresohet secili lëshim në procedura të rregullta të dhunuesve, lëshim i udhëzuesit për prokurorët që të mos ketë lëshime në procedurë të rregullt për dhunuesit, “duhet avancim i politikave ndëshkimore sepse ka shumë raste kur denimet janë nën minimumin e kodit penal.”
Sipas saj, në të dy rastet e vrasjeve ka të bëjë me narkomanë e Kosova nuk ka institucion që rehabiliton këta persona.
“Shumë shpejt do ta bëjmë femicidin si vepër të veçantë në Kodin penal”, tha mes tjerash Haxhiu.
Nga Haxhiu u kërkua pajisja me detektorë të sigurisë si dhe që secila komunë të paguajë qiranë dhe shpenzimet e viktimave të dhunës si dhe të ngritet numri i punëtorëve socialë.
“Nga 1999, që prej atëherë kur po e presimin ngritjen e Kosovës, deri sot, 99 gra janë vra nga burrat ose ish partnerët. Mbi 200 raporte denoncohen për rast te dhunës për gratë, ky trend na tregoj është i përhapur si pandemi”- deklaroi Haxhiu.
Ajo dënoi gjuhën e urrejtjes së qytetarëve në rrjetet sociale kurse kërkoi edhe dënime maksimale e meritore ndaj dhunuesve.
Haxhiu foli edhe për kërkesat për dorëheqjen e saj, dorëheqje e cila sipas saj nuk do të ishte zgjidhje.
“Nëse dorëheqja ime do të zgjidhte probleme, nuk do ta kisha menduar dy herë. Nuk ka ministër të pas luftës qe është angazhuar më shumë së unë në këtë drejtim, amani një emër. Nëse e zgjedh, unë jap dorëheqje, sepse jeta e grave është me e rëndësishme”, deklaroi Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë shtoi se dorëheqje duhet të ketë kur personi përgjegjës që ka një obligim për ta kryer nuk e ka kryer atë. Ajo shtoi se ka rast kur nuk është lëshuar urdhëri mbrojtës ndaj dhunuesit.