Deputeti i AAK-së: Kurti i harroi kauzat atdhetare posa e mori pushtetin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, e ka kundërshtuar heqjen e taksës ndaj Serbisë, veprim që është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës.

“Po si ka mundësi që një gjë e tillë të ndodh nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga ky subjekt që në të kaluarën jo të largët, ndërmerrte veprime kundër produkteve serbe. Ishte insistim i vazhdueshëm i këtij formacioni për të bojkotuar çdo gjë serbe, jo rrallë edhe duke i rrotulluar kamionët me produkte nga ky shtet, duke proklamuar kontinualisht moton ”Duaje tëndën”. Por çfarë po ndodh sot? Me të marr pushtetin, Kurti harroi kauzat atdhetare, duke ngulmuar në heqjen e taksës, për ta zëvendësuar me njëfarë reciprociteti, nocion i cili tashmë është inekzistent”, tha Tolaj.

Tolaj ka thënë se AAK e kundërshton heqjen e tarifës, derisa Serbia të jetë e gatshme ta njoh shtetin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

AAK ka mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët opozitarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën tha se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Tëitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Dje, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka përkrahur Isa Mustafën në kërkesën e tij për heqjen e menjëhershme të tarifës.

Ai përmes një publikimi në Tëitter ka thënë se heqja e tarifës do të ishte një nismë e shkëlqyer për përparim ekonomik të Kosovës.

“Nismë shumë e mirë. Isa Mustafa është një udhëheqës i guximshëm. Heqja e tarifës nesër një fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të lëvizte shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, ka shkruar Grenell.