Isa Mustafa: LDK pro heqjes së menjëhershme të tarifës 100 % ndaj Serbisë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Publikimi i plotë i Isa Mustafës:

“Të nderuar qytetarë
Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 përqind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objejtivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqendrueshme politike.
Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.
Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.
Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa.
Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të.
Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës.
Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në.”