Kuvendi nis një seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës ka nisur një seancë të jashtëzakonshme, e cila në rend të ditës ka 11 pika. Të pranishëm në sallë janë vetëm deputetët e pozitës.

Kjo seancë nisi menjëherë pas përfundimit të seancës paraprake, në të cilën u shqyrtua për të dytën herë, Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2024.

Ligji mbi ndarjet buxhetore ka kaluar në lexim të dytë me mbështetjen e 63 deputetëve.

Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK. Opozita nuk kishte marrë pjesë as në votimin e parë të këtij Projektligji në muajin nëntor.

Ky është rendi i ditës i seancës së jashtëzakonshme:

1.    Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2024, 
2.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore,
3.    Shqyrtimi i dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
4.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-255 për shërbime sociale dhe familjare,
5.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative,
6.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,
7.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
8.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
9.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,
10.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare,
11.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.