Zyrtari i Kuvendit të Kosovës rrëfen për emocionet që i pati gjatë seancës së Pavarësisë

Se më 17 shkurt 2008 është shpallur pavarësia e Kosovës kjo dihej, por data e mbajtjes së seancës së shpalljes së pavarësisë, atëbotë mbahej si një sekret publik. E ftohtë ishte e “diela e pavarësisë”, pavarësisht kësaj mijëra njerëz vërshuan sheshet e qyteteve, madje pa u zyrtarizuar koha dhe agjenda e seancës.

“Populli e di datën”- përgjigjej kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, saherë pyetej për të.

Sali Rexhepi, punonjës në Kuvendin e Kosovës tregon se pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të orës 12:00 më 17.02.2008 filloi përgatitja e skenarit të seancës, ftesat iu dërguan deputetëve e u bë edhe vendosja e vendeve se ku do të uleshin pjesëmarrësit.

“Ka qenë seancë që vështirë është me përshkru me fjalë, janë ndjenja që arkivohen në ndërdijen e njeriut që një herë në jetë të jepet ai rast me e përjetu”- tregon Rexhepi që në seancën e jashtëzakonshme të 17 shkurtit 2008 ishte ulur pranë kryetarit të Kuvendit.

Ai rrëfen, duke e kujtuar me saktësi se si seanca kishte filluar pak me vonesë e fjalën kryesore e kishte nisur atëkohë Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, më pas ka ftuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi që të prezantojë ftesën për mbajtjen e seancës, e deri te dhënia e fjalës për ish-presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu.

“Pastaj fjalën ia ka dhënë ish-kryeministrit Hashim Thaçi që e ka lexu deklaratën e pavarësisë. Pas përfundimit, në mënyrë unanime është votu kjo deklaratë me 109 vota për. Ka qenë përjetim i jashtëzakonshëm ku janë çu të gjithë në kambë me apllauzë”- shpalos ai.

Pas leximit të deklaratës së Pavarësisë, kishte filluar nënshkrimi i saj së pari nga Fatmir Sejdiu, pastaj nga Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, më pas iu hap rruga anëtarëve të kryesisë, shefave të grupeve parlamentare dhe pastaj deputetëve.

Në pikën e dytë të rendit të ditës u miratuan simbolet e shtetit; flamuri trengjyrësh dhe stema e Kosovës.

“Përkujtuese dhe emocionale është momenti kur zyrtari nga kabineti i kryetarit, Ilir Gashi e ka sjell flamurin për herë të parë me u pa pamja fizike se si duket dhe me këtë ka përfundu seanca në ora 17:05”- tregoi Rexhepi.

Sali Rexhepi – FOTO KALLXO

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.