Ilustrim

Kontratat njëburimore, Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme këtë javë

Në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të opozitës është vendosur që të enjten e kësaj jave, më 14.03.2024, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për kontratat njëburimore. Krahas kësaj, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është paralajmëruar inicimi i një komisioni hetimor pikërisht për këtë çështje.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë bëri të ditur se këtë javë do të mbahet vetëm kjo seancë e jashtëzakonshme, meqë nuk ka pasur dakordim për ndonjë seancë tjetër. 

“U caktua vetëm një seancë e jashtzakonshme për kontratat një burimore sipas deklarimit të opozitës. Nuk arritëm dakordim për një seancë tjetër. Mbetet sfidues fakti që janë në pritje 12 marrëveshje ndërkombëtare. Shpresoj që mund të kemi trajtim shumë serioz të afateve të cilat mund të kenë skadencë”- tha Kusari-Lila.

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha që janë mbi 350 tenderë të tillë, pasiqë “tender njëburimor nënkupton dhënia e punës publike duke mos u shpallur publike, por duke thirrur kompani dhe duke i përzgjedhur në bazë të preferencës”.

“Ne konsiderojmë që kjo është cështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe do të shohim mundesitë e krijimit të komisionit hetimor parlamentar”- tha Gashi për media.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, është shprehur se kontratat njëburimore, si burim kryesor e kanë korrupsionin dhe e dëmtojnë buxhetin e shtetit.

Tahiri tha se do të iniciojnë një komision hetimor për kontrata njëburimore.

“Si GP i PDK-së kemi paralajmëruar formimin e një komisioni hetimor. Vetëm në vitin 2023 janë 544 kontrata njëburimore në vlerë 116 milionë euro. Nëse këtu i marrim edhe vitet paraprake, jemi të bindur që nëse marrin mandatin e te gjitha qeverive nuk do të arrijnë shumë që janë nënshkruar nga kjo qeveri. Janë kontrata të burimit të korrupsionit”- tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, ka thënë se numri i madh i nënshkrimit të kontratave një burimore duhet të adresohet tek prokuroria e Kosovës.

“Ne si opozitë kemi dhënë mbështetje për seancën e jashtëzakonshme për kontrata një burimore. Një numër i madh i këtyre kontratave duhet t’i nënshtrohen një hetimi serioz dhe një adresimi tek prokuroria e Kosovës”- tha ai.

Përgjatë 23 vjet parlamentarizmi në Kosovë janë themeluar gjithsej 13 komisione hetimore, por vetëm një të tretës prej tyre u janë miratuar raportet.