
Foto: REL
Grenell: Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kurtit, tarifa duhet të hiqet krejtësisht
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.
Në një postim në Twitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.
“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.
Kryeministri i Kosovës sot pasdite në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas Kurtit, më 15 mars do të hiqet tarifa ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia e Bosnja, kurse nga 1 prilli do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditore, me mundësinë e rikthimit në rast se Serbia nuk ndryshon sjelljen ndaj Kosovës.
Albin Kurti: Nga data 15 mars hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia