Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri kërkon të fillojë seanca për koeficientin e pagave

Shefi i grupit parlamentar të Alenacës për Ardhëmrinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që të fillojë me seancën e jashtëzakonshme e cila në rend dite ka debatin parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

Tahiri tha se në mbledhjen e Kryesisë janë dakorduar që kjo seancë të fillonte në 12:00 dhe sipas tij ka qenë “një marrëveshje gjentëllmenësh”.

“Në mbledhje të Kryesisë jemi dakordu që në ora 12:00 të fillojë seanca e jashtëzakonshme me 41 nënshkrime. Ora është 12:30 dhe janë edhe katër pika të papërfunduar. Ka qenë një marrëveshje gjentëllmenësh që me u kry seanca në 12:00 dhe në atë orë me hy në të rregullt”- tha Tahiri.

“Nëse ka qenë strategji që me u kry këto pika të votimit me 64 deputetë  që i keni brenda pastaj me shku në seancë e mos me ndejtë është mungesë serioze e kolegjialitetit dhe e një diskutimi apo debati që e kemi pasë në Kryesi. Nuk është në rregull me shku në këtë formë. Është shkelje e rregullores dhe e një dakordimi që e kemi pasë. Kërkoj që me fillu seanca e jashtëzakonshme menjëherë”- shtoi ai.

Konjufca më pas ka hapur punimet e seancës se jashtëzakonshme, veprim ky që la të pa kënaqur deputetët e pozitës të cilët të revoltuar nga mos përfundimi i seancës paraprake, u larguan nga salla e Kuvendit.