Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyet pse Rexhep Kadriu e mbështet Lutfi Hazirin për kryetar të Gjilanit

Ish-nënkryetari i Komunës së Gjilanit dhe ish-kryetari i degës së AAK-së në këtë komunë, Rexhep Kadriu, ka thënë se ka shumë arsye që sipas tij në balotazhin e 14 nëntorit duhet votuar kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai ka shtuar se në bashkëqeverisjen e tij në Gjilan kanë bërë investime të mëdha. 

“Ne kur e kemi marrë qeverisjen, varrezat e dëshmorëve nuk kanë qenë të përfunduara, kanë qenë të shkatërruara, i kemi bërë varrezat në kohën e Lutfi Hazirit. Po flas në nivelin lokal çka kemi bërë. është bërë zgjerimi i rrugëve nga Gjilani në drejtim të Kamenicës me katër korsi, parku në Dardani, ndërtimi i çerdhes në Dardani, impianti i ujërave të zeza, investime në ujësjellës”, tha mes tjerash ai.

Kadriu shtoi se kandidati i LVV-së, Alban Hyseni, mund të jetë profesor i mirë, “por për të menaxhuar një buxhet prej 29 milionë eurove duhet me qenë taman menaxher”, tha ai, duke konfirmuar se AAK në Gjilan e mbështetet Hazirin e LDK-së.  

Në emisionin “Debat Pernime” sonte po transmetohen intervistat me ish-kryetarin e Gjilanit nga PDK-ja Qemajl Mustafën dhe ish-nënkryetarin e kësaj komune, Rexhep Kadriun.

Dy ish-figurat udhëheqëse politike në këtë komunë flasin për garën e balotazhit që do të mbahet në Gjilan më 14 nëntor.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.