Ilustrim

Arrestohen dy persona në Lipjan, policia u gjeti lëndë narkotike

Dy persona kanë rënë në pranga të policisë nën dyshimin për përdorim dhe posedim të lëndëve narkotike. 

Në njoftimin e policisë më 09.04.2024, thuhet se dy të arrestuarit, njëri nga ta i mitur janë ndaluar dhe gjatë kontrollit të njëjtëve iu është gjetur sasi e lëndës narkotike. 

Sipas policisë te të dyshuarit u gjet substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë 26 gram dhe një peshore digjitale.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Mehmet Akif” në Lipjan.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Pas intervistimit njëri nga të dyshuarit i moshës madhore është dërguar në mbajtje ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt. 

Rasti është iniciuar si vepër penale për blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të lëndëve narkotike.