A ka Kosova pilotë të dronëve dhe cilat janë funksionet e dronëve "Bayraktar"?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqendonci, ka folur për dronët “Bayraktar” dhe funksionin e tyre.

Maqedonci ka shpjeguar se ka shumë më shumë se nga ajo se çka është prezantuar teksa tregon se “Bayraktar”-ët janë fluturake pa pilot, që janë të dizajnuar për vëzhgim të terrenit dhe për sulme ndaj objektivave.

“Është shumë më shumë se që shihet dhe nga ajo çka është prezantuar. ‘Bayraktar’-ët ka qenë një element që ne e kemi blerë një pajisje. ‘Bayraktar’-ët janë fluturake pa pilot, që janë të dizajnuar për vëzhgim të terrenit dhe për sulme ndaj objektivave. Edhe xhirojnë, edhe sulmojnë dhe kanë raketa. Janë dronë të mëdhenj, janë dronë luftarakë, nuk janë vetëm vëzhgues. Është një prej dronëve më efektiv”- ka thënë Maqedonci.

“Dronët tanë dallojnë prej atyre xhirues. Dronët tanë mund të bartin edhe raketa” – shtoi ai.

Ministri ka thënë se për fluturim të dronëve i njoftojnë edhe misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për aktivitete ajrore.

Maqedonci tha se kanë pilot të certifikuar dhe të trajnuar por që, sipas tij, nuk është e domosdoshme të bëhet publike se sa është numri tyre.

Më tej, ministri i Mbrojtjes ka folur edhe për armatimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ne kemi vazhduar zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës siç e dini ligjet në 2018-tën, i kanë dhënë mandatin FSK-së, mandat ushtarak. Qysh pas ligjeve ne e kemi filluar zhvillimin e forcës e cila bëhet në tri faza. Faza e parë ka përfunduar në vitin 2022, që ka qenë faza e kompletimit me dokumentacion, me doktrinë, trajnimi individual i personelit, trajnimi kolektiv edhe zhvillimi i kurrikulave të trajnimit”- tha ministri.

“Aktualisht jemi në një ndër fazat më të rëndësishme që ka filluar në 2022 dhe përfundon në 2025, është ndërtimi i kapaciteteve të këmbësorisë, që nënkupton se do të kemi njësi të gatshme që me këmbësori të lehtë, të mbrojmë territorin e vendit. Në këtë aspekt ne furnizohemi edhe trajnohemi”- theksoi ai.

Në korrik të këtij viti, Kosova ka blerë dronë “Bayraktar”.

Kryeministri Albin Kurti kishte prezantuar dronë “Bayraktar TB-2” të cilat i janë shtuar arsenalit të ushtrisë.

“Arsenalit të ushtrisë  i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare” – pati shkruar Kurti në Facebook.