Foto: Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ministri Maqedonci kërkon nga NATO t'i trajtojë me seriozitet lëvizjet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci gjatë takimit me Shefen e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, ka kërkuar nga NATO-ja që t’i trajtojë me seriozitet çështjen e trupave ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën.
“Theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”- ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Maqedonci ka shtuar se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, dhe se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO.
Në aspektin e ofrimit të sigurisë, KFOR më 02.04.2024 tha për KALLXO.com që ka rritur qëndrimin në veri të Kosovës dhe ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë ato përgjatë ‘vijës kufitare administrative’.
“NATO vazhdon të nxisë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”- shkruan në përgjigjen e KFOR-it.
Ky qëndrim i KFOR-it ka ardhur si përgjigje për Kallxo.com, pas pyetjeve rreth deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se janë rreth “400 ekstremistë”, të cilët po trajnohen afër kufirit me Kosovën.
Përndryshe, kryeministri Albin Kurti më 21.03.2024, kishte publikuar pamje të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën.
Ai kishte publikuar një video ku shihen disa persona në uniformë.
Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Më 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit. Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa anëtarët e grupit ikën në drejtim të Serbisë.
Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.