Foto: ZKM

Qeveria miraton projektligjin për ratifikimin e një marrëveshjeje ushtarake Kosovë -Turqi

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se marrëveshja parasheh bashkëpunimin ndërshtetëror në disa fusha.

“Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: stërvitje dhe edukim ushtarak, industri të mbrojtjes, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake dhe misione paqeruajtëse dhe humanitare”- tha Maqedonci.

Në mënyrë që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi në përputhje me dispozitat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ministri Maqedonci ka kërkuar të aprovohet ky projektligj dhe t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.