Risitë e edicionit të sivjetmë të festivalit ‘Beerfest Kosova'

Edicioni i sivjetmë i festivalit tradicional të birrës, “Beerfest Kosova” do të mbahet nga 7 deri më 10 korrik në parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Organizatorët e “Beerfest Kosova” kanë thënë se edicioni i sivjetmë vjen me pamje të re, koncept të ri, organizim të ri dhe me një program artistik të një festivali me përmasa ndërkombëtare.

“Sivjet adhuruesit e birrave do të kenë një mundësi unike që përveç kënaqësisë dhe freskimit me birrat më të mira vendore dhe ndërkombëtare, të shijojnë edhe një program artistik, konkurrues me festivalet më të mëdha të muzikës në rajon. ‘Beerfest Kosova’ i përket një formati argëtues dhe promovues ku qytetarët për 4 netë me radhë mund të argëtohen me program të mrekullueshëm artistik dhe duke shijuar birra dhe pije tjera nga më të ndryshmet”-thuhet në njoftimin e stafit të “BeerFest”-it.

Si edhe në vitet e kaluara, sipas njoftimit, rëndësi të madhe do t’i kushtohet rregullimit të hapësirës dhe në veçanti skenës dhe programit artistik.

“Sivjet në ‘BeerFest’ do të performojnë mbi 30 artistë dhe bende, si: Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Alban Skenderaj, Yll Limani, PINT : MC Kresha & Lyrical Son, Nita Latifi, Dren Abazi, Shpat Deda, Offchestra, Ya nina, Dipna Fona, David Dreshaj, Secret 47, Adrian & Xhurim Dema, Dj Caboo etj”-thuhet në njoftim.

Sipas organizatorëve, i gjithë festivali këtë vit do të ketë konceptin e “Green Festival”,  ku do t’ i kushtohet rëndësi mbrojtjes së mjedisit,  si dhe do të jetë “Cashless”, ku pagesat do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylykë.

Përveç muzikës, birrave dhe ushqimit, vizitorët do të kenë rastin të jenë pjesë e lojërave të ndryshme si: Board Games, Beer Pong dhe Beer Olympics.