Festivali i Teatrove për Fëmijë do të mbahet në katër qytete 

Edicioni i parë i Festivalit të Teatrove për Fëmijë do të mbahet nga 4 deri më 07.03.2024, në katër qytete të Rajonit të Ferizajt.

Gjatë këtij edicioni të këtij festivali janë planifikuar të jepen gjashtë shfaqje teatrore për fëmijë, në: Ferizaj, Shtime, Kaçanik dhe në Han të Elezit.

Regjisori Besim Ugzmajli, drejtor artistik i Festivalit të Teatrove për Fëmijë, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se ky festival do të organizohet në 4- qytete duke provuar një shtrirje regjionale në mungesë të aktiviteteve teatrore në këto vende.

“Festivali i Teatrove për Fëmijë, ka qëllimin që të zë hapësira sa më të mëdha të aktiviteteve teatrore, në mënyrë që impakti skenik e teatror të jetë sa më i madh”- tha ai.

Sipas tij, gjatë këtij festivali do të jepen gjashtë shfaqje: “Petrushi i huaj”, “Ela, Mira dhe Shtëpia Magjike”, “Përralla palidhje”, “Kësulkuqja”, “Krahët e bletës” dhe “Shpresa e Presa”.

Ugzmalji tha se Festivali që këtë vit starton me edicionin e parë të tij, vlen të theksohet së është produkt i Festivalit të Teatrove në Ferizaj (FTF), i cili këtë vit ka edicionin e 54-të.

“Festivali i Teatrove për Fëmijë, por edhe FTF në përgjithësi, tash e një kohë organizohet nga OJQ Festivali Teatrove – Ferizaj, e cila organizatë ka brenda personalitetet që për shumë vite janë marrë me organizim të festivalit, por sigurisht edhe janë shtuar kapacitete të reja me njerëz të ri që i kanë dhënë një fuqi të nevojshme organizimit në përgjithësi, por sigurisht që Teatri ‘Adriana’ (Teatri Adriana Abdullahu) është padyshim jo vetëm nikoqir, por edhe strukturë e rëndësishme organizative e logjistike”- ka potencuar Ugzmajli.

Ai ka thënë se ideja për organizmin e këtij festivali është që nxënësit (fëmijët) të afrohen sa më shumë më artet skenike, përkatësisht teatrin.

“Njëra ndër arsyet kryesore është fakti se shumë pak bëhet për fëmijët në aspektin e artit skenik, duke filluar kështu me faktin se artet dramatike nuk mësohen në shkolla, është shumë e padrejtë që krahas artit figurativ dhe muzikës, artet skenike nuk janë lëndë mësimore në shkolla”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se një pjesë shumë e rëndësishme e këtij edicioni është edhe kuizi për klasat 6-9 që është organizuar mes shkollave e që ka përmbajtje krejtësisht teatrore, që do të organizohet me datën 08.03.2024, si dhe hartimet që do të bëhen nga nxënësit 1-5 për shfaqjet e programit të festivalin në këtë vit.