Pamje nga shfaqja ‘Të negociosh paqen’. Foto: Qendra Multimedia.

Shfaqja 'Të negociosh paqen" do të prezantohet në Hamburg të Gjermanisë

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Të negociosh paqen” (Negotiating Peace) do të prezantohet gatë këtij muaji në Hamburg të Gjermanisë.

Qendrës Multimedia ka bërë të ditur se “Të negociosh paqen”, në të cilën luajnë aktorë nga Kosova, Shqipëria e vendet tjera, do të prezentohet më 20 dhe 21 prill 2024, në teatrin “Kampnagel”, si pjesëmarrëse e festivalit të ndërkombëtar “KRASS Festival” në Hamburg.

Kjo është hera e dytë që Qendra Multimedia prezantohet në këtë festival.

Sipas njoftimit, në rolin kryesor të shfaqjes “Të negociosh paqen”, me regji të Blerta Neziraj, luan aktori nga Kosova, Shkumbin Istrefi. Në shfaqje luajnë edhe aktorja kosovare Melihate Qena si dhe aktorja e njohur shqiptare Ema Andrea. Pjesë e trupës së shfaqjes janë edhe aktorë Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.

Drama e shkruar nga Jeton Neziraj, thuhet më tej në njoftim, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë Marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“’Të negociosh paqen’ është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke ‘To End a War’ [T’i japësh fund një lufte] dhe nga ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ i Kadaresë. Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikën dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?”- thuhet në njoftim.

Shfaqja “Të negociosh paqen” është prodhuar nga Qendra Multimedia, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).