Pamje nga Shfaqja ‘Inspektor Limi. Foto: Facebook/ Komuna e Gjilanit.

Ligji i ri për Artin dhe Kulturën – Cili do të jetë roli i drejtorit dhe Këshillit Drejtues të teatrove?

Ligji për Artin dhe Kulturën, i sapo hyrë në fuqi, do të shfuqizojë kështu ligjet e deritashme të disa prej institucioneve publike (lokale) të kulturës, ne mesin e tyre edhe ligjin për teatrot në Kosovë.

Ligji për Artin dhe Kulturën tashmë është botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Me këtë ligj do të rregullohen edhe çështjet kryesore të teatrove publike (lokale) të qyteteve të Kosovës.

Për dallim nga ligji i shfuqizuar për teatrot, me ligjin e ri, teatrot publike lokale nuk do të kenë këshill drejtues dhe udhëheqës artistik, kompetencat e të cilëve do të barten tek drejtori i teatrit. Ndërsa këshilli artistik do të këshillojë drejtorin rreth politikave teatrore për institucionin.

Hyrja në fuqi e këtij ligji është komentuar në forma të ndryshme nga drejtues të teatrove të qyteteve, regjisorë e kritikë teatri. Sipas tyre, përfitimet e teatrove do të jenë më të mëdha se me ligjin e kaluar për teatrot.

Megjithatë, sipas tyre Ligjin për Artin dhe Kulturën është i përgjithësuar dhe pa aktet nënligjore për institucione është mjaft i mjegulluar.

Fuqizimi i drejtorëve të teatrove

Sabit Sheremeti, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit të Qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena” dhe kryetar i Asociacionit të Teatrove të Qyteteve të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se me ligjin e ri, teatrot nuk do të kenë Këshill Drejtues e as udhëheqës artistik, drejtori do të ketë kompetenca të plota dhe qartësi lidhur me llogaridhënie.

Sipas tij, tek ligji i vjetër ka pasur përzierje kompetencash, mos-llogaridhënie e në shumë raste edhe tejkalime e shkelje ligjore nga Këshillat Drejtues të Teatrove.

“Kurse me ligjin e ri teatrot e qyteteve do të udhëhiqen nga drejtorët e teatrove dhe do të kenë kompetenca të plota ligjore për udhëheqjen e Institucionit; drejton veprimtarinë artistike, kulturore, administrative dhe organizative duke u bazuar në programin për udhëheqjen e institucionit, administron burimet financiare dhe njerëzore të institucionit”- ka thënë ai.

Sipas Sheremetit, teatrot do të kenë vetëm Këshilla Artistike të cilat kanë rol këshillues për drejtorin e teatrit.

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit të “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, ka thënë për KALLXO.com se Ligji për Artin dhe Kulturën, ka sqarime të mjaftueshme për institucionet që janë nën menaxhimin e MKRS, por, ka shtuar ai, derisa nuk miratohen aktet tjera nën-ligjore mbetet shumë i mjegulluar.

“Ka disa përparësi, pasi tash nuk ka Këshill Drejtues me funksion ekzekutiv nëpër teatrot e qyteteve, por ka vetëm Këshill Artistik, pra këshillues. Tash dihet saktë adresa dhe ajo është drejtori i teatrit”- ka thënë Hyseni, duke shtuar se pas hyrjes në fuqi, teatrove u mbetet të miratojnë rregulloret që nevojiten për funksionimin e tyre.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se me Ligjin e ri për Artin dhe Kulturën, teatrot do të funksionojnë më mirë.

“Sepse tashmë do të ketë një drejtor dhe një këshill që është këshillëdhënës. Ligji i mëparshëm ka dhënë mundësi që për punën e teatrit me përgjegjësinë të luajnë ping-pong, drejtori duke ia lënë fajet udhëheqësit ose këshillit drejtues”- ka thënë ai.

Tani, ka vazhduar ai, do të dihet se kush është drejtuesi i teatrit dhe nga kush duhet kërkuar përgjegjësi.

“Uroj që Ligji i ri të respektohet nga Ministria, drejtoritë e kulturës në qytete, nga drejtorët e teatrove… se Ligji është i rëndësishëm, por njerëzit gjithmonë kanë ditur që të gjejnë hapësira për ta anashkaluar. Shpresoj të mos ndodhë kështu edhe me Ligjin e ri!”- ka thënë Apolloni.

Teatrot në Ligjin për Artin dhe Kulturën

Funksioni i teatrove të qyteteve do të rregullohet përmes Ligjit për Artin dhe Kulturë, i cili pasi të hyjë në fuqi shfuqizon ligjin për teatrot në Kosovë.

Sipas këtij ligji, Komunat mund të themelojnë institucione publike lokale nga fusha e artit dhe kulturës, në këtë rast teatrot, dhe funksionojnë në kuadër të komunave. Këto institucione kanë drejtorin dhe këshillin artistike

Ndërsa, sipas këtij ligji, institucionet publike qendrore dhe lokale të artit e kulturës drejtohen nga drejtorë, i cili edhe është organi kryesor ekzekutiv.

“Drejtori i institucionit publik qendror dhe lokal të artit dhe kulturës zgjidhet përmes procesit të konkursit publik. Procedura e zgjedhjes së drejtorit organizohet nga Ministria përmes Këshillit Kombëtar të Arteve për institucionet qendrore të artit dhe kulturës, ndërsa nga komuna përkatëse për institucionet lokale të artit dhe kulturës, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin përkatës në fuqi”- thuhet në pikat 2 dhe 3 të nenit 12-të të Ligjit për Artin dhe Kulturë.

Ndërsa, sa i përket financimit, sipas ligjit, mjetet për financimin e institucioneve publike qendrore dhe lokale të artit e kulturës sigurohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, të hyrat vetanake, sponsorizimet e donacionet dhe financimet e tjera alternative në përputhje me legjislacionin në fuqi.