Publikohet thirrja për aplikim për muzikantët e rinj "OneBeat Balkans 2024"
Është publikuar thirrja për aplikim për pjesëmarrje në programin “OneBeat Balkans 2024”.
Të drejtë aplikimi në këtë thirrje kanë muzikantë të rinj të moshave 19-35 -vjeç nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe SHBA.
Afati është deri më 20 dhjetor 2023.
“OneBeat Balkans 2024“ do të mbahet prej 6 deri më 26 mars 2024. Muzikantët e përzgjedhur do të luajnë së bashku, do të krijojnë muzikë të re dhe do të udhëtojnë nëpër Ballkan duke e shpërndarë frymën e bashkëpunimit, komunitetit dhe barazisë.
Përmes një njoftimi, “OneBeat Balkans” bën të ditur se gjatë 20 ditëve të programit të vitit të ardhshëm do të mbledhë 12 muzikantë të angazhuar në shoqëri, të cilët, siç thuhet në njoftim, së bashku do të prodhojnë muzikë dhe përmbajtje shumëdisiplinare, të udhëheqin punëtori publike, dhe ta përdorin artin si mjet pajtimi dhe zhvillimi ekonomik në pjesët e përçara të Ballkanit.
Sipas njoftimit, programi do të zgjasë 20 ditë dhe përfshin periudhën e rezidencës muzikore në Prizren, e cila do të ndiqet nga një turne koncertesh në Prishtinë dhe Beograd.
“’OneBeat Balkans 2024’ do të fillojë me një rezidencë muzikore dyjavore në Prizren, ku pjesëmarrësit do të krijojnë muzikë origjinale, do të zhvillojnë ide të reja muzikore dhe projekte të kushtuara për komunitetet lokale. Rezidenca do të pasohet prej një turneu në qytete të Ballkanit, ku pjesëmarrësit do të performojnë në koncerte, do të bashkëpunojnë dhe luajnë me muzikantë vendorë dhe do të drejtojnë punëtori me të rinj e të reja”- thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, edukimi formal muzikor nuk është i domosdoshëm për të aplikuar për “OneBeat Balkans”.
“Po ashtu, projekti nuk ka kufizime për nga zhanri: muzikantët që bëjnë muzikë tradicionale ose folklorike, hip hop, xhez, eksperimentale, elektronike a klasike, dizajnerë muzikorë dhe artistë multimedialë, të gjithë janë të ftuar të aplikojnë” – thuhet më tej në njoftim.
Edicioni i parë i “OneBeat Balkans” u mbajt në vitin 2019, i drejtuar nga “Balkan Art Zone” me ish-pjesmarrësin Bajram Kafu Kinolli, si themelues i programit.
Programi “OneBeat Balkans” është një inkubator muzikor, ku muzikantët nga e gjithë bota krijojnë projekte bashkëpunuese të dizajnuara për të pasur ndikim pozitiv në komunitetet lokale dhe globale.
“OneBeat Balkans” është pjesë e projektit të gjerë global “OneBeat” i krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si nismë e Byrosë për Edukim dhe Çështje Kulturore e Departamentit amerikan të Shtetit dhe prodhohet nga Bang on a Can’s Found Sound Nation.
KËTU mund të gjeni thirrjen për aplikim për programin “OneBeat Balkans 2024”.