Hapet konkursi për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë brenda një periudhe njëmujore, prej 9 shkurt deri më 9 mars 2024.

Mandati i drejtorit aktual të BKK-së “Pjetër Bogadni” përfundon më 24 shkurt 2024. Drejtori aktual, Fazli Garjaku, ka lënë mundësinë  kandidimit edhe për një mandat, të tretin në krye të BKK-së.

“Nuk e di. Ndoshta. E di që unë do të jem i përkushtuar për të punuar në bibliotekë, në çfarëdo pozite a detyre që do t’ më jepej, për të vijuar të ofroj dijen dhe përvojën time të krijuar gjatë këtyre viteve të punës sime në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”- ka thënë Gajraku për KALLXO.com.

Kandidatët që synojnë postin e drejtorit të kësaj biblioteke, duhet të kenë diplome universitare të fituar në Fakultetin e Arteve, në Fakultetin Filologjik dhe  Fakultetin Filozofik; të kenë së paku gjashtë vjet përvojë pune profesionale, përfshirë së paku tri vjet në pozita drejtuese.

Sipas Ligjit për biblioteka, drejtori i BKK- së zgjidhet nga Këshilli Drejtues.

Mandati i drejtorit është 4-vjeçar me mundësi të rizgjedhjes.