Objekti privat ku është vendosur MBPZHR

U paguan mbi 28 mijë euro në muaj për qira, Ministria e Bujqësisë pritet të bëhet me objekt të vetin

Një milion euro është shuma e buxhetit të ndarë për ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR).

Ky është projekt i ri kapital, ku qëllimi kryesor është akomodimi i përhershëm i zyrtarëve të MBPZhR-së në objekt publik duke kursyer kështu pagesa të përvitshme të qirasë nëpër objekte private.

Deri në ndërtimin e këtij objektit duket që ministria ende do të paguaj për qira, ku sipas kontratës së siguruar më parë nga KALLXO.com, për një muaj shuma e qirasë ishte mbi 28 mijë euro.

Në muajin gusht të vitit 2019, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), kishte lidhur një kontratë qiraje me kompaninë private “A2 Grup” SHPK, për shfrytëzimin e objektit të kësaj kompanie në rrugën “Ukshin Hoti” në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë dhe zbatimi i kontratë ishte paraparë nga data 1 shtator 2019.

Sipas kontratës, MBPZHR për tri vjet do t’i shfrytëzojë tri kate (të III-in, IV-in dhe VI-in) të ndërtesës së “A2 Grup” në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë, me sipërfaqe të përgjithshme prej 1,560 metra katrorë me çmim 18 euro bruto për metër katror, përkatësisht 28,080.00 në muaj.

”Qiramarrësi fillon shfrytëzimin e lokalit afarist sipas nenit 1 të kësaj kontrate për periudhën kohore tri vjeçare, duke filluar nga data 01 shtator 2019 deri më 31 gusht 2022, me mundësi vazhdimi”, thuhet në nenin 2 të kontratës.

Kontrata përfshinë edhe obligimet dhe kushtet që duhet t`u përmbahen palët. Ndërsa pala që do shkëputjen e kontratës duhet që kërkesën ta bëjë në formë të shkruar 180 ditë më herët nga data e shkëputjes.

1 milion euro për ndërtimin e objektit

Ndryshe nga viti ardhshëm, ky dikaster qeveritar pritet të bëhet më objekt të vetin, pasi me  buxhetin e shtetit për vitin 2023, parashihet ndërtimi i objektit të MBPZhR-së.

Për këtë qëllim, janë ndarë buxhet 1,000,000 euro madje janë vlerësuar edhe 980,000 euro tjera për vitin 2024.

Sipas buxhetit i cili është ende draft, dhe  pritet të marr dorën e fundit nga Kuvendi i Kosovës, ku veçse është miratuar në parim nga deputetet në seancën e mbajtur më datë 17 nëntor 2022, ndërtimi pritet të filloj në muajin janar të vitit 2023 dhe të përfundoj me 31 dhjetor të vitit 2024.

Për më tepër lidhur me këtë projekt, KALLXO.com ka kërkuar qasje në informata në ministrinë në fjalë, ku edhe është konfirmuar.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar projekt të ri kapital me emërtimin “Ndërtimi i objektit të MBPZhR” gjatë përgatitjes së projekt-buxhetit për vitin 2023. Në kuadër të këtij projekti është planifikuar ndërtimi i objektit të MBPZhR-së në të cilin planifikohet të sistemohen zyrtarët e MBPZhR-së, përfshirë edhe ata nga dy agjencionet të cilat funksionojnë nën kuadrin e MBPZhR-së siç është Agjencia e Pyjeve të Kosovës, si dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.” – thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Më tej thonë se aktualisht jemi në fazën fillestare të planifikimit për ndërtimin e objektit në fjalë dhe procedurat që po ndiçen.

“Ky objekt është planifikuar të ndërtohet në pronën e MBPZhR/IBK-së. Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës jemi duke zhvilluar procedurat për pajisjen me të gjitha dokumentet e nevojshme të cilat i paraprijnë ndërtimit të këtij objekti. Këtu nënkuptojmë edhe vendin adekuat për ndërtimin e tij, lejen e ndërtimit, si dhe të gjitha dokumentet e nevojshme për realizimin e këtij projekti” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com

Sipas ministrisë, qëllimi kryesor i këtij projekti është akomodimi i përhershëm i zyrtarëve të MBPZhR-së në objekt publik duke kursyer kështu pagesa të përvitshme të qirasë nëpër objekte private. Po ashtu, hapësirat e reja të objektit do të jenë të përbashkëta me dy agjencionet e sipër përmendura duke u krijuar palëve lehtësira në ofrimin e shërbimeve për ta në një hapësirë të vetme.