Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton në parim buxhetin 3 miliardë e 212 milionë euro për vitin 2023

Deputetët e Kuvendit e kanë miratuar në parim buxhetin për Kosovën për vitin 2023.

Ky projektligj për buxhetin e Kosovës ka marrë 64 vota pro, 1 kundër dhe një abstenim.

Gjatë votimit të Projektbuxhetit në parim, në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm 82 deputetë.

Deputetët e tri partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë marrë pjesë në votim.

Tri partitë opozitare gjatë shqyrtimit të buxhetit sot, janë deklaruar kundër.

Kundër këtij buxheti ka votuar edhe një deputet i partisë në pushtet. Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, u shpreh se ky projekt-buxhet dëmton sigurinë e vendit dhe se po anashkalon veteranët e luftës, sigurimin e Policisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Projekt-buxhetin për vitin 2023 e ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha se buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, prej tyre janë ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”.

Kurti ka thënë se 296 milionë eurot e ndara për sektorin e shëndetësisë është shuma më e madhe që është ndarë ndonjëherë për këtë sektor që prej shpalljes së pavarësisë.

Pas votimit të Projektbuxhetit, që ishte pika e vetme e seancës, Kuvendi ka mbyllur punimet për sot, për të vazhduar nesër në ora 13:00 me një seancë tjetër e cila në rend dite ka shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat paraprake.